Pavarësisht deklaratave të ndryshme te kryetarëve të PD-së dhe PBDNJ për Bashkinë e Himarës mbetet ende e paqartë nëse është bërë një marrëveshje zonale midis dy partive dhe përmbajtja e saj.

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule, thotë se do të jetë Vasil Bollano kandidati i PBDNJ-së për këtë bashki dhe mohon arritjen e një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokratike. Bashkëpunimi sipas Dules do të jetë i njëjtë si me PD-në ashtu edhe me PS-në.

Vangjel Dule:  Nuk ekziston një marrëveshje. Ekziston një mbështetje për kandidaturën e Vasil Bollanos që siç e theksova nuk është vetëm nga Partia Demokratike por arrin deri në struktura të caktuara të Partisë Socialiste, është një mbështetje mjaft e gjerë sepse e tillë është edhe influenca e kandidatit tonë në Bashkinë e Himarës.

I një tjetri mendimi është sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode, ai në mënyrë indirekte lë të kuptohet se ekziston një marrëveshje në nivel lokal.

Ridvan Bode: Degë të Partisë Demokratike nëpër rrethe janë të lira që në përputhje me objektivat e tyre elektorale dhe në mbrojtje të interesave të Partisë Demokratike të mund të arrijnë aleanca lokale për komuna dhe bashki të veçanta dhe ka një sërë komunash e bashkish me parti të qendrës dhe të qendrës së djathtë ku janë arritur aleanca bashkëpunime si me Partinë e të Drejtave të Njeriut, me Partinë e Ballit Kombëtar, me partinë Demokrate te Re dhe me një sërë partish të tjera opozitare të cilat aktualisht nuk ndodhen ne koalicionin bashkimi për fitore apo dhe në koalicionin e fundit të deklaruar të tre partive për zgjedhjet lokale.

Bode shprehet se fjalën e fundit lidhur me këtë marrëveshje e kanë patur strukturat lokale.

Vasil Bollano: Sivjet shikojmë një klimë politike më të stabilizuar në këtë aspekt por duhen bërë përpjekje të vazhdueshme nga politikanët e të gjitha partive për demokratizimin dhe për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike sepse është vota e lirë e popullit që do të nxjerrë se cila parti dhe se sa % do të fitohet në çdo komunë e në çdo bashki.

Ndërkohë kandidati socialist për Bashkinë e Himarës është Jorgo Goro./tvklan.al