Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në këtë atmosferë në sheshin “Skënderbej” festohet mbyllja e fushatës elektorale i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore që priten ditën e diel. Nën brohorimat e simpatizantëve demokratë është ngjitur në tribunë kryetari i PD Sali Berisha. 

Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela, ka mbajtur fjalën e parë, duke përmendur prioritetet kryesore për drejtimin e kryeqytetit. Mirëqenia, zhvillimi dhe dinjiteti i njerëzor, janë pika kyçe që spikasin në rëndësinë që Ngjela do t’u kushtojë qytetarëve.

Pretendenti demokrat e ka cilësuar bashkinë e Tiranës bunker, por ardhja e tij në krye të këtij instituconi do ta shndërrojë atë në një shtëpi të madhe për qytetarët Tiranas, shprehet kandidati demokrat Ngjela. Nuk duhet të mendohet, se zotimet e Ngjelës janë të parealizueshme, ai ka ripërsëritur edhe njëherë se do të sjellë për 18 muaj ujin 24 orë.

Spartak Ngjela:- “A mendoni zotëri, se ne këtu sot vuajmë nga papërgjegjshmëria e pushtetarëve? A ka shqiptarë sot që nuk e di, që shpërdorohen fondet publike dhe më në fund fare, a ka njeri sot në Shqipëri, që s’e di që jemi të varfër, pikërisht për këtë arsye? Prandaj do t’i japim fund njëherë e mirë në 12 Tetor me votën tonë”.

Kanë përshëndetur mbylljen e fushatës elektorale aleatët e PD, Teodor Laço i Bashkimit Liberal dhe Fatmir Mediu i Partisë Republikane. Kryetar i PD Sali Berisha, me fjalën e tij ka mbyllur mitingun, i bindur se 12 Tetori do të shpalos fitoren e PD në mbarë vendin. Berisha ka ftuar të gjithë shqiptarët të bashkohen me votën e PD, që së bashku të ulin 40 përqindëshin e të papunëve. 

600 milion dollarë nga taksapaguesit shpërdorohen çdo vit nga pushtetarët shprehet lideri i opozitës Berisha. Kryedemokrati ka kërkuar nga shqiptarët të mos bëjnë rolin e të verbrit, se askush nuk mund të mos shohë vilat dhe monopolet e Dukës, Poçit, Malajt dhe qeveritarëve të tjerë.

Sali Berisha:- “Votoni për avokatin, votoni kandidatët e PD, të mos bëni individin që ka vesh dhe nuk dëgjon, sepse pastaj zëri i Tiranës nuk do të dëgjohet më dhe po i humbi zëri i Tiranës, kombi do të mbetet pa gojë. Për tre muaj me radhë perëndimi organizoi fushatën mjaft korrupsionit, mjaft papunësisë, mjaft Fatos Nanos”.

Me votën në 12 Tetor kemi në dorë të mos bëhemi bashkautor të një qeverie të korruptuar, që drejtohen nga Fatos Nano dhe me Edvinët e saj është shprehur kryetari demokrat. Kemi shansin t’i japim emrin e mirë shqiptarëve në Europë, me votën tuaj i japim goditjen fatale sistemit të korrupsionit. Në kolonën zanore të Ready for the victory dhe spektaklit të fishekzjarrëve demokratët mbyllin fushatën elektorale në pritje të rezultatit të zgjedhjeve natën e 12 Tetorit./tvklan.al