Ka përfunduar në Bruksel raundi i dytë dhe i fundit i negociatave mes Shqipërisë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut. Këto negociata u përqendruan në çështje tekniko-ligjore, sigurisë,burimeve njerëzore, financiare.

Arta Tozaj: “Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në voton 2009 do të shënojë zgjerimin e 6 në historikun e NATO-s, ndërkohë NATO ka parashikuar një projekt deri në vitin 2014 për të ndërtuar një seli të re prej 615 milion eurosh financimi. Ndërkohë flamuri shqiptar do të vendoset përkrah atij belg, duke u pozicionuar i pari kështu në bllokun e vendeve aleate.”

Duke e cilësuar si të suksesshme bisedimet zëdhënësi i NATO-s James Appathurai në një intervistë për televizionin Klan shpjegon procedurën deri në anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut.

James Appathurai: “Këto bisedime bëjnë të qartë detyrimet që Shqipëria merr përsipër dhe vendet anëtare përgatisin protokollin e anëtarësimit, i cili ratifikohet më pas prej tyre. Ndërkaq Shqipëria dërgon letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ku konfirmon interesin dhe vullnetin për plotësimin e reformave brenda afateve të caktuara. Sekretari i përgjithshëm i përgjigjet letrës së vendit dërgues dhe me 9 korrik firmoset protokolli i anëtarësimit duke e ftuar Shqipërinë të bëhet anëtare. Më tej vendi juaj e dërgon instrumentin formal të anëtarësimit në Shtetet e Bashkuara dhe bëhet formalisht anëtare e vendit.”

Pyetjes nëse flamuri i Shqipërisë do të ngrihet përkrah flamujve të vendeve anëtare të NATO-s, Apathurai i përgjigjet me optimizëm se si Shqipëria ashtu dhe Kroacia do të jenë të pranishme në samitin e ardhshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj