Shqipëria dhe Kroacia finalizuan sot në Bruksel përpjekjet disavjeçare për t’u bërë pjesë e Aleancës Veriatlantike. Pas përfundimit të 3 raundeve të bisedimeve që pasuan marrjen e ftesës në samitin e Bukureshtit, ambasadorët e 26 vendeve anëtare dhe sekretari i përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer, i shkruan protokollit të pranimit në NATO.

Tani të dy vendet janë një hap larg anëtarësimit të plotë në Aleancën më të madhe ushtarake në botë. Nënshkrimi i këtij dokumenti i hap rrugën ratifikimit të protokolleve nga vendet anëtare të Aleancës që vendi ynë të quhet anëtar me të drejta të plota. Në fjalën e tij të hapjes në ceremoninë e mbajtur në Bruksel, sekretari i përgjithshëm Scheffer, vlerësoi angazhime e Shqipërisë dhe të Kroacisë në fushën e reformave, për plotësimin e kushteve të kësaj organizate.

Përfaqësuesi i palës shqiptare në këtë ceremoni ministri Lulzim Basha, nënvizoi se me nënshkrimin e këtij dokumenti shënohet edhe përfundimi i përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Na është dashur shumë punë, angazhime dhe ndihmë e vyer nga aleatët të cilët i falënderoj për mundësinë që i dhanë Shqipërisë, tha Basha.

Ndërkohë ministri i Jashtëm kroat Gordan Jandragovic shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe të vendeve aleancës për këtë proces, duke thënë se zgjerimi i NATO-s është siguri politike dhe ekonomike për demokracinë. Në mbyllje të kësaj ceremonie sekretari i përgjithshëm  Scheffer, theu rregullat duke dalë në konferencë për shtyp vetëm me dy të ftuarit e nderit ministrin Basha dhe Jandragovic. Scheffer ftoi Shqipërinë dhe Kroacinë të marrin pjesë për herë të parë në mbledhjen normale të këshillit të atlantikut megjithëse pa të drejtë vote.

Në ndryshim nga procesi i integrimit evropian, ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit në NATO, parashikohet të mbyllet brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm, kjo sepse në ndryshim nga më parë distanca kohore nga një takim në tjetrin ishte dy vjet, takimi i radhës është parashikuar në pranverën e 2009, i cili do të shënojë edhe anëtarësimin e plotë në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle