Krahas detit, turistët që po vizitojnë Durrësin këtë fillim gushti po tregojnë një interes të shtuar për tu njohur me historinë dhe arkeologjinë e qytetit antik.

Ndër monumentet me të vizituara dhe kryesore për vizitorët mbetet Amfiteatri Romak.

Jona Saraçi, specialiste e arkeologjisë: Patjetër që ka rritje ne e kuptojmë që edhe këto 4-5 ditët e para të muajit Gusht ne shikojmë që edhe rritja është më e lartë, mund të themi që është edhe piku i sezonit turistik tani.

Turistët që po vizitojnë këto atraksione vijnë kryesisht nga Polonia, Gjermani, Italia, Spanja etj, por nuk kanë munguar edhe turistet mongol.

Jona Saraçi, specialiste e arkeologjisë: Më shumë janë polakë, gjermanë, ka spanjollë dhe italianë, këto janë ata të cilët mbizotërojnë më së shumti në Amfiteatrin e Durrësit. Ka pasur edhe turistë mongolë, duke qenë se kishin shumë interes për amfiteatrin e Durrësit, ka pasur edhe nga Australia dhe Zelanda e Re.

Ky interes i shtuar për historinë dhe kulturën e Durrësit tregon se turistët po kërkojnë më shumë sesa thjesht pushime në plazh.

Ata shprehin interes të zbulojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë historike dhe kulturore të destinacionit që vizitojnë.

“Jemi me fat që e kemi këtë pjesë, këtë pjesë historike dhe këshilla ime e vetme është që të vazhdojmë ta mbrojmë,” tha një vizitor vendas.

“Këtu ka shumë gjëra të ngjashme si në Spanjë, ka vende interesante. Është hera e parë që jam në Shqipëri, këtu gjen malin, detin dhe vende historike si ky ku jemi. Qytetet janë njësoj si në Spanjë,” tha një turist spanjoll.

“Amfiteatri është i bukur, por mungojnë disa shpjegime, duhet të jetë i kuruar në disa pika të caktuara dhe nevojitet më shumë punë, por Durrësit mbetet një qytet i bukur gjithsesi,” u shpreh një turiste.

Këtë sezon Durrësi po shfaqet si një destinacion që ofron një kombinim unik të plazheve të bukura dhe një historie të pasur, që e bën atë tërheqës për një gamë të gjerë turistësh nga e gjithë bota.

Klan News