Channel 4 ka hequr një episod të “The Simpsons” gjatë fundjavës pas tentativës për vrasjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump po merrte pjesë në një tubim fushate në Pensilvani të shtunën kur 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks e qëlloi atë nga një çati aty pranë. Ish-presidenti u largua nga podiumi i rrethuar nga Shërbimi Sekret. Një plumb i preku veshin, por gjithsesi nuk ka pësuar dëmtim.

Sigurisht, pas ngjarjes episodi i serialit të njohur u hoq nga transmetimi pasi ka një ngjashmëri të çuditshme me realitetin, duke i bërë njerëzit të mendojnë se profetizon të ardhmen.

Një episod i titulluar “Lisa the Iconoclast” do të transmetohej në orën 13:00 (14 korrik), një ditë pas sulmit ndërsa rrjeti vazhdoi të shfaqte episode nga sezoni i tij i shtatë. Episodi u zëvendësua papritur! Në episodin origjinal, një oficer i zbatimit të ligjit shihet në një çati aty pranë, duke vënë në shënjestër Lizën teksa qëndron në një podium në një tubim, i ngjashëm në pamje me atë ku Trump mori pjesë në fushatën e tij.

Në vend të kësaj, episodi u zëvendësua me një nga sezoni 30, i titulluar “Baby You Can’t Drive”, i cili ka të bëjë me Marge dhe Homer teksa ata punojnë së bashku në një kompani teknologjie që prodhon makina.

/tvklan.al