Lajme Arkiva 2003

Ndërprerja elektrike është shkaku kryesor i mos pagesës së punëtorëve. Presidenti i i shoqërisë së tullave “Fabiona” në Vorë Tofik Hyka është shprehur se protesta e punëtorëve është e paligjshme, ndaj nuk mban asnjë përgjegjësi për sa ndodh jashtë mureve të fabrikës.

Tofik Hyka: Jashtë fabrike unë nuk mbaj përgjegjësi sepse ata kanë dalë në mënyrë të paligjshme. Unë gjithmonë u kam thënë punëtorëve të mi që kur të keni probleme do të mblidheni te qendra e punës. Këtu e kam zyrën unë. Edhe unë analizoj problemet që keni. Prandaj jashtë postbllokut të fabrikës, portës nuk mund të dilet në mënyrë të paligjshme, ka kod pune, ka procedura ligjore për grevat. Thashë në qoftë se kanë ankesa të mëtejshme, punëtorët mund ti drejtohen gjykatës. Unë nuk mbaj asnjëlloj përgjegjësie për punëtorët që kanë dalë në mënyrë të paligjshme. Mbaj përgjegjësi për detyrimet që i kemi. Detyrimet kanë një kohë, një afat, një kontratë pune.

Pagat e papaguara ato përfshijnë vetëm 92 punëtorë që janë aktualisht në grevë pasi pjesa tjetër e punëtorëve sipas fabrikës janë paguar. Lidhur me sigurimet shoqërore presidenti i shoqërisë “Fabiona” u shpreh se ato nuk janë paguar vetëm për dy vitet e fundit, por që do të paguhen ku fabrika të furnizohet me energji elektrike.

Këto fakte janë kundërshtuar nga punëtorët të cilët ndodhen në ditën e 8 të grevës së urisë. Ata thonë se për 2 muaj nuk janë paguar ndërkohë që sigurimet shoqërore nuk janë paguar që prej 7 vjetësh.

Punëtor:  Unë nuk dal që këtu edhe për 100 vjet ta marri vesh edhe Presidenti i Republikës edhe e gjithë qeveria.

Punëtor:  Paga mujore shkon 120-130. Asnjëherë nuk kam marrë aq unë. E nxjerr planin 65% ai.

Punëtor:  Është një rrogë aq qesharake sa as 200 mijë Lekë nuk marrë. Punoj në ngarkim-shkarkim tullash. Punën më të vështirë. As 200 mijë lekë nuk marrë. Por më shumë më ndikon libreza e punës. Dua librezën për 7 vjet se do të dal i vdekur e nga këtu nuk dal.

Gazetarja: Sa vjeç jeni?

Punëtor:  Jam 54 vjeç. Jam në prag të pensionit. Po s’mu dhanë 7 vjet unë nuk dal në pension fare.

Por edhe gjendja shëndetësore po rëndohet dita-ditës. Brenda një ore për të marrë serum në poliklinikën e Vorës janë shoqëruar 5 grevistë.

Mjeku: Sa do të zgjasë greva aq më shumë do të rëndohet gjendja shëndetësore e tyre. Prandaj kush e ka në dorë qoftë qeveritarët, qoftë pronarët,të zgjidhin problemin dhe të mos sakrifikohen njerëz.

Ndërsa pjesa tjetër e punëtorëve që ndodhen jashtë grevës si edhe familjarët kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugët nacionale në rast të mosplotësimit të kërkesave./tvklan.al