Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Havier Solana nderohet nga Presidenti shqiptar Mejdani, me urdhrin e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Ish-sekretari i NATO-s, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Europian, nderohet me këtë titull të lartë për punën e tij dhe përpjekjet gjatë luftës në Kosovë.

Presidenti Mejdani, në ceremoninë e dhënies së urdhrit të lartë, ka falënderuar Solanën për misionin e tij historik, si një mbrojtës i paqes dhe një protagonist i devotshëm i zhvillimeve demokratike. Më pas Mejdani i ka vënë medaljen e artë Solanës, i cili më pas ka falënderuar kreun e shtetit shqiptar, për vlerësimin e madh, që i bëri, duke u shprehur se paqja në rajon ka qenë gjithmonë objektivi dhe misioni i tij.

Më pas Havier Solana është takuar në Ministrinë e Jashtme me ministrin Milo. Në takimin e tyre, si Milo ashtu dhe Solana vlerësuan samitin e ardhshëm të Zagrebit, si një ngjarje me rëndësi për Europën Juglindore. Më pas për gazetarët, Solana u shpreh, se vlerëson arritjet në Shqipëri, që sipas tij janë një bazë e mirë për integrim drejt organizmave evropian, kurse Milo tha:

Paskal Milo, Ministri i Jashtëm:- “Jemi të bindur që Bashkimi Europian, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE, do t’i japin Shqipërisë atë që meriton të ketë, për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në emër të interesave themelore të stabiliteti e paqes në rajon”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj