Dy liderët kryesor të vendit presidenti Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë udhëtuar sot pasdite për Washington, me ftesë të presidentit të SHBA George Bush.

Të hënën ata do të priten në shtëpinë e Bardhë nga presidenti Bush, ndërkaq më pas do të kenë një takim të posaçëm edhe me sekretaren amerikane të shtetit Condoleza Rice. Në aeroportin e Prishtinës Sejdiu dhe Thaçi kanë cilësuar këtë vizitë si të një rëndësie të madhe.

Fatmir Sejdiu: “Për ne është po them e peshës historike duke pasur parasysh mbështetjen e veçantë që SHBA i ka dhënë Kosovës, tani e gjatës kohës. Dhe natyrisht është një moment i rëndësishëm që të shprehim edhe vizionin tonë për ecjen e mëtejshme të shtetit të pavarur sovran të Kosovës. Për ambiciet që kemi që të zhvillojmë procese shumë të shpejta. Veçanërisht ato që kanë të bëjnë me integrimet e euroatlantike.”

Hashim Thaçi: “Është vizita historike e respektit dhe e vulosjes së suksesit dhe progresit në Kosovë. Në të njëjtën kohë do ti shprehim edhe shqetësimet që ne mendojmë se janë aktuale dhe do të kërkojmë natyrisht mbështetje edhe të mëtutjeshme.”

Liderët kosovar gjatë kësaj vizite pritet që ti bëjë ftesë presidenti amerikan George Bush që ta vizitojë Kosovën./tvklan.al