Presidenti i Republikës ka firmosur shkarkimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të internetit të presidencës, nuk jepet asnjë detaj mbi arsyet e shkarkimit, ndërkohë që citohet vetëm neni 196 pika 3 e kushtetutës mbi bazën e të cilit u dekretua shkarkimi i Hoxhës.

Mendohet se shkarkimi i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm i ardhur në përgjigje të propozimit të kryeministrit Berisha, ka lidhje me përgjegjësitë e Forcave të Armatosura në tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Ndërkohë vetë kryeministri nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment në lidhje me dekretin e kreut të shtetit.

Kryetari i grupit parlamentar republikan Arjan Madhi, mendon se është prokuroria ajo që duhet të vendos për përgjegjësitë që kanë të gjitha palët për shpërthimin në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

Arjan Madhi: “Unë nuk kam asnjë mendim lidhur me shkarkimin e Shefit të Shtabit. Unë mendoj që ky është një procedim disiplinor administrativ i kryer. Sigurisht është prokuroria që do të procedojë më tutje nëse do të ketë prova të mjaftueshme edhe ndaj shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe mund të operoj më tutje kjo është çështja e drejtësisë”.

Ndërsa për deputetin Petro Koçi, vendimi i presidentit është i drejtë.

Petro Koçi: “Nëse ky është një reagim për çështjen. Do të thoja që është zhvilluar besoj një analizë serioze lidhur me rolin e Forcave të Armatosura për çështjen dhe nëse është kështu është një vendim pozitiv”.

Shkarkimi i Gjeneral Lejtnant Hoxhës pason largimin nga detyra të dy ushtarakëve të lartë Gjeneral Major Shpëtim Spahiu dhe Gjeneral Brigade Zija Bahja. Dy këta të shkarkuar nga presidenti me propozim të ministrit të mbrojtjes Oketa, me motivacionin shkelja e akteve normative dhe mos ushtrim me përgjegjësi detyrave ushtarake të ngarkuara duke sjellë si pasojë tragjedinë e 15 marsit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Beni Haxhiaj