Në komunat e rrethit të Fierit dhe të Shkodrës aplikimi për letërnjoftimet ka ecur me ritme të larta.

Sipas kryetarit te komunës Kuman, Edmond Plaka, janë ndarë rreth 600 letërnjoftime, ndërkohë qe kanë aplikuar 1200 qytetarë.

Edmond Plaka: “Ne kemi rreth 1670 veta pa pasaporta në komunën tonë. Deri tani gjithsej kanë aplikuar rreth 1200 dhe jemi shumë të kënaqur me procesin dhe procesi po ecën rregullisht. Janë, sot na erdhën 580 letërnjoftimet e para, filloi shpërndarja rregullisht, njerëzit janë shumë të kënaqur sepse më në fund filluan të identifikohen”.

Nga ana tjetër në komunën e Bushatit banoret janë ndërgjegjësuar në këtë nismë të qeverisë shqiptare, ku një pjesë e mirë e aplikantëve janë të rinj, te cilët votojnë për herë të parë ne zgjedhjet e 28 Qershorit.

Zef Hila: “Procesi i aplikimit në komunën e Bushatit po ecën me ritme shumë të kënaqshme. Dëshiroj edhe një herë të them që angazhimi maksimal i kryetarëve të fshatrave, sensibilizimi i banorëve ka bërë të mundur që të ecet me këto ritme dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër unë mund të them me plot bindje që ne do të jemi 100% me realizimin e plotë të këtij procesi kaq të rëndësishëm.”

Tashmë i gjithë vendi është përfshirë në një prej proceseve me te gjera për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por dhe pjese e një prej kërkesave më te rëndësishme të vëna si kusht nga strukturat e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë ne BE.

Gjithashtu, këto letërnjoftime do te lehtësojnë ndjeshëm edhe një sërë shërbimesh, për të cilat deri me sot kërkohej certifikata./tvklan.al