Të gjithë duhet të aplikojnë dhe të pajisen me karta identiteti.

Kështu ka deklaruar nga Korça presidenti i republikës, Bamir Topi, i pyetur nga gazetarët në lidhje me qëndrimet më të fundit të Partisë Socialiste për çështjen e kartave të identitetit.

Në fjalën e tij presidenti Topi theksoi faktin se zgjedhjet e 28 Qershorit janë tepër të rëndësishme për të ardhmen pasi Shqipëria duhet të fitojë nota pozitive që pas anëtarësimit në NATO e të realizojë edhe aspiratën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Bamir Topi: “Të gjithë së bashku duhet të punojmë intensivisht të mos themi çdo ditë për çdo orë, çdo minutë që ky proces të realizohet sa më shpejt. Pra dhe këtu në Korçë të gjithë duhet të aplikojnë, të aplikojnë dhe pastaj të gjithë subjektet politike do të futen në fushatë për të arritur synimet e tyre politike, por më e rëndësishmja është që mbas këtyre zgjedhjeve Shqipëria të fitojë nota të tjera pozitive për të pasur mundësi të shpejta që mbas anëtarësimit në NATO të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian.”

Një ditë më parë kreu i shtetit u shpreh se në lidhje me procesin e pajisjes me letërnjoftime elektronike nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ndryshe nga sa pretendon opozita, sipas së cilës ky proces rrezikon edhe zgjedhjet e përgjithshme në fund të Qershorit./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini