Policia e Shtetit ka reaguar pas vënies në hetim nga prokuroria e Korçës të një inspektori të komisariatit të Pogradecit, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Sipas organit të akuzës, ai nuk ka marrë masa për dokumentimin e ngjarjes ku humbi jetën 42-vjeçari, Egli Proga, por uniformat blu i hedhin poshtë këto pretendime. Në deklaratë thuhet se ai është punonjës i patrullës dhe detyra e tij lidhet aspak me hetimin.
“Si punonjës i Patrullës së Përgjithshme, Inspektor A.L., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore.”
Më tej, në reagim sqarohen të gjitha veprimet e kryera nga punonjësi i policisë i vënë në akuzë nga Prokuroria për mosveprim.
“Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit. Me marrjen e njoftimit nga mjekët, ka bërë njoftimin për grupin hetimor, që i dëmtuari ka ndërruar jetë.”
Policia siguron se ai dhe autori i dyshuar nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin. Ndalur tek aktet e referura, mes të cilave ishte dhe ngritja e veprës penale “vrasje me dashje” e ndryshuar më pas nga Prokuroria në “vrasje nga pakujdesia”, Policia e Shtetit thotë se janë depozituar të gjitha materialet hetimore, ndryshe nga sa pretendon organi i akuzës.
“Policia ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia.”
Në fund, Policia e Shtetit e mbyll reagimin e saj duke sqaruar se çdo veprim i ndërmarrë prej saj lidhur me zbardhjen e vrasjes së Egli Progës, ka gjetur miratim dhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e cila ka hetuar çdo procedurë të ndjekur prej saj që nga momenti i regjitstrimit të ngjarjes më 10 Gusht.
Tv Klan