Kryetarja e grupit parlamentar e Partisë Socialiste Valentina Leskaj në një konferencë për mediat deklaroi  se Shqipëria është e vonuar në aplikimin për statusin e  vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Valentina Leskaj “Më në fund Sali Berisha ka bërë atë që ne e kemi propozuar dhe kërkuar që në shtator të vitit të kaluar, natyrisht më mirë vonë se sa kurrë. Në fakt e bëri këtë 9 muaj me vonesë ndërkohë që mund ta kishte bërë edhe më përpara, pa pritur fushatën elektorale.”

Ndërkohë një tjetër zonjë po në emër të Partisë Socialiste, sekretarja për marrëdhëniet me jashtë  Arta Dade një muaj më parë do ta shihte si të nxituar veprimin e ndërmarrë nga qeveria për të aplikuar brenda presidencës çeke.

Arta Dade: “Askush nuk ka ndërmend që në një periudhë kaq të shkurtër ta konsiderojë aplikimin e Shqipërisë, kështu që kërkesa për aplikim mund të mbetet nëpër sirtarët e komisionit Evropian deri në një moment që Bashkimi Evropian të mendojë që mund të jetë momenti i përshtatshëm për ta shqyrtuar këtë kërkesë.”

Në këtë situatë është e vështirë të kuptosh qëndrimin e mirëfilltë zyrtar  të Partisë Socialiste në lidhje me datën e aplikimit. Ndoshta një burrë nga selia rozë mund të japë variantin e vërtetë  zyrtar në lidhje me aplikimin  e Shqipërisë në Bashkimin Evropian./tvklan.al