PS ka shpallur divorcin përfundimtar me aleatët e saj të vegjël me të cilët ka qeverisur Shqipërinë në 4 vitet e fundit. Kryetari Nano tha se nuk pranuan presionet e individëve me pushtet të pamerituar.

“Nuk mund të pranojmë presione që burojnë nga llogari interesash të ngushta, individë të veshur ndoshta dhe nga ne me pushtet të pamerituar. Ju duhet të kuptoni përfundimisht se për ne socialistët koalicionet nuk kanë qëllim vetveten. Por, janë formacione politike që zgjerojnë bazën e vendmmarrjes dhe përgjegjësive për të lehtësuar dhe përshpejtuar zgjidhjen e problemeve që ka vendi duke garantuar progresin. Besoj se ndaj të njëjtin besim me ju se presionet më të fundit të Aleancës për Shtetin, shfaqin dhe në publik mungesën ultime të konvergjencës me parimet dhe filozofinë tonë shtetndërtuese. Ata po tentojnë të zëvendësojnë angazhimet qeverisëse për integrimin e Shqipërisë në Europë me pazare për vende parlamentare apo qeverisëse të pamerituar. Ne deri më sot kemi pranuar marrëveshje në dëm të PSSH-së, por në dobi të zhvillimit të vendit. Por, ne nuk mund të pranojmë në dëm të PS-së, një forcë e votuar nga mazhoranca e elektoratit shqiptar, asnjë marrëveshje që rrezikon stabilitetin e vendit dhe objektivat tona qeverisëse në dobi të progresit. Mosmarrëveshjet e partive të koalicionit nuk janë një gjë e re. Dhe aq më pak një tregues se zgjedhjet e 24 qershorit rrezikohen apo do të dështojnë. Ne jemi tërësisht të angazhuar që me të njëjtën investim institucional, politik, administrativ dhe qeverisës të angazhojmë zgjedhje më të mira dhe më të lira apo në standarte ndërkombëtare se ato të tetorit 2000 dhe duke krijuar kushtet për të gjitha institucionet dhe grupet sociale që do të përfaqësohen, konkurrojnë dhe të kuptojnë nëpërmjet votës së shqiptarëve sesa vlejnë në dobi të vendit dhe jo të vetvetes.”/tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame