Qëndrim parimor ka zgjedhur ta cilësojë kryetari i Partisë Social Demokrate mungesën në mitingun e së shtunës në shesh të thirrur nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Një qëndrim që siç thotë Gjinushi, në asnjë rast nuk nënkupton heqje dorë nga qëllimi për referendum kundër ndryshimeve kushtetuese.

Skënder Gjinushi: “Qëndrimi ynë për referendume, qëndrimi ynë për kushtetutën, për ndryshime e mos ndryshime në të është konstant që prej ’94-ës edhe më herët. Kurse përsa i takon pastaj formave se si një parti shpreh miratimin ose mos miratimin e vet për një veprim të caktuar siç janë psh ndryshimet në kushtetutë, është e drejta e saj, PSD-ja nuk ishte pjesë e kësaj proteste. PSD-ja ka format e veta për të shprehur pajtimin e mos pajtimin për ndryshimet kushtetuese”.

Gjinushi flet dhe mbi qëndrimin e PS që së fundmi ka dhënë argumente ligjorë që tregojnë sipas saj, pamundësinë e mbajtjes së referendumit. Për Gjinushin fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese dhe jo politikës.

Skënder Gjinushi: “Dhe mos bëjmë siç bëri KQZ-ja me Vlorën, pra që bllokojë referendumin dhe një anëtarë KQZ-je vlente më shumë se 20 mijë qytetarë vlonjatë. Është vetëm Gjykata Kushtetuese pastaj që shprehet për legjitimitetin ose jo të një kërkesë. Pra përsëri nuk i takon politikës të merret. Politika ka vetëm një gjë, je dakord apo jo me çështjen e hedhur në referendum, kjo është e drejta e gjithkujt të marrë pozicionin po ose jo dhe vlerësojë që PS se besoj që e ka në parim kundër një gjë të tillë. Është tjetër gjë pastaj se çfarë pozicioni ka për momentin, për arsyet, për motivet”.

Gjinushi vlerëson nevojën për një ribashkim të partive në opozitë, që nënkupton marrëveshje përpara zgjedhjeve të vitit 2009./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi