OSBE ka dalë të hënën me dy qëndrime mbi kodin e ri zgjedhor.  I pyetur nga gazetarët fillimisht Bosch e cilësoi punën mbi ligjin e ri elektoral të papërfunduar, gjë për të cilën nevojitet ende të diskutohej gjerësisht. 

Vetëm pak orë më vonë ambasadori në një deklarim të shpërndarë në rrugë elektronike është kujdesur të theksoje faktin se kodi ka nevojë të akordohet më mirë dhe se kjo gjë duhet të ndodhë larg çdo presioni të ndonjë grupimi.  

Bosch e konsideron arritje dokumentin e hartuar nga komisioni i posaçëm kuvendor. Në komentin e tij të parë në një intervistë për gazetarët Bosch nuk bën asnjë koment të drejtpërdrejt mbi grevën e deputetëve në sallën e seancave plenare.

Robert Bosch: Nuk jam këtu për këtë, por sigurisht mund të them se  OSBE-ODHIR bëri disa rekomandime në 2005, për një administratë zgjedhore pluraliste dhe përfshirëse në mënyrë që partitë politike të jenë në gjendje të konkurrojnë me njëra-tjetrën në kushte te barabarta. Duhen mënjanuar nga kodi diskriminimi i forcave politike. Shpresoj që drafti i kodit zgjedhor të diskutohet gjatë në komisionin e ligjeve fillimisht dhe pastaj në kuvend. Shpresoj të mos ketë një vendim të nxituar mbi këtë. Në draftin aktual ka shumë çështje që duhen diskutuar pasi nuk është tamam një dokument i shkëlqyer. Është një punë ne progres e qe nuk është përfunduar, por duhet diskutuar.”

A ka kërkuar OSBE reduktim të numrit të komisionerëve?

Robert Bosch: Ne kemi kërkuar reduktimin fillimisht pasi përfaqësoheshin të gjitha partitë parlamentare që ishte një problem me formulën 4+ 4+1, por edhe me variantin siç propozohet tani, 3+3+ 1 mund të përfaqësohen 6 parti politike, megjithatë këto gjera duhet të diskutohen pasi ka çështje në draft të cilat nuk janë totalisht korrekte.”

Për shembull?

Robert Bosch: Transporti i kutive te votimit thuhet se duhet të bëhet vetëm nga policia e shtetit, vetëm prej saj gjë që s’është e mundur. Të paktën policia kufitare apo ushtria duhet të ndihmojnë. Flitet për kamera, të paktën 1200 të tilla. Kush duhet të paguajë për to, ku do të gjenden paratë? Ndaj them se duhet diskutuar. Është bërë një punë e mirë,  por që gjithsesi drafti duhet diskutuar.”

Pak orë më vonë zyra e shtypit të OSBE-së e konsideroi arritje draftin e miratuar, duke cituar se ai ka nevojë vetëm për akordim më të mirë.

Prezenca e OSBE-së përsërit sërish se është e mendimit se drafti i kodit zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptarët është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t’u akorduar më mirë.

Për këtë arsye ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim.

Prezenca e OSBE-së thekson sërish se kodi si në çdo demokraci do të jetë vendim i parlamentit shqiptar./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi