Qeveria do t’u falë bizneseve ¾ e borxheve të akumuluara ndër vite. Një shifër që arrin në 30 miliard lekë apo rreth 400 milion dollar. Deklarata mbërrin nga ministri i financave Ridvan Bode, kreu i financave sqaroi se po hartohet një projektligj falë të cilit bizneset do të paguajnë vetëm principalin. Ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat shumëvjeçare do të pastrohen nga regjistrat.

Ministri Bode shpjegoi dhe arsyet e këtij vendimi.

Ridvan Bode: “Nuk është amnisti fiskale, por është një skedulim, një rregullim, një falje e disa pjesëve të detyrimeve që ka një sërë kompanish private për t’i çliruar ato dhe për t’i ftuar që dhe ato të dalin tërësisht në ndritë sikurse gjithë kolegët e tyre, rivalët e tyre në ekonominë shqiptare. Po të marrësh në këto 40 miliard, dhe sa është principali dhe sa janë kamatëvonesat dhe gjobat, i bie që ¼ është principali dhe ¾ janë rritja progresive. Kjo pjesë do të falet.”

Deklarata u krye gjatë prezantimit të bilancave dhe të shpenzimeve për 6 muajt e parë të vitit. Ministri  Bode vlerësoi si tepër pozitiv realizimin e planit të të ardhurave, ku gjatë kësaj periudhe në arkën e shtetit u futën 135 miliard lekë. Mes të tjerash kreu i financave veçoi mbledhjen e tatimit të vlerës së shtuar. Tregues që mundëson krahasimin me qeverisjen socialiste.

Ridvan Bode: “Bie në sy për t’u evidentuar dhe për të dëshmuar performancën në rritje të administratës fiskale, janë rritja e të ardhurave nga tatimi i vlerës së shtuar. Në krahasim me një vit më parë janë 22.3% më shumë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2005 është e vetmja taks që nuk ka ndryshuar nivelin, pra nuk është ulur në krahasim me qeverisjen e mëparshme. Ato janë 74,3% më shumë.”

Pozitive sipas shefit të financave janë dhe të dhënat që flasin për investimet publike të realizuara në masën 84% të planit për 6 mujorin, ndërkohë që pushteti vendor vijon performancën negative në mbledhjen e të ardhurave./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

Operator: Gentian Koçi