Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vendimi i qeverisë greke për të mos lejuar emigrantët shqiptarë, që presin për legalizimin e lejeve të qëndrimit të tyre në Greqi, të udhëtojnë jashtë kufijve të këtij shteti deri në fund të muajit Tetor, ndikon negativisht në ekonominë shqiptare. Qëndrimi i emigrantëve shqiptarë në tokën helene, në sezonin e pushimeve është një humbje e madhe për të ardhurat e shtetit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë për turizmin e brishtë të vendit tonë.

Vitin e kaluar, në periudhën Qershor-Gusht, me gjithë pengesat që nxorën doganierët grekë në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, mësohet të kenë kaluar pushimet në Shqipëri, rreth 150 mijë emigrantë me banim në Greqi. Çdo emigrantë llogaritet të ketë shpenzuar gjatë periudhës së pushimeve mesatarisht 50 dollarë në ditë.

Të ardhurat nga emigrantët, në periudhën e verës së kaluar me një përllogaritje të thjeshtë, kanë arritur në 7.5 milion dollarë. Kjo shumë do të jetë shumë herë më e vogël këtë sezon turistik. Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, emigrantët shqiptarë sjellin në Shqipëri 7-fishin e parave që sjellin investitorët e huaj në një vit.

Por këto studime nuk do të kenë të njëjtat përfundime nëse qeveria greke, apo qeveritë e viteve të tjera, ku numri i emigrantëve shqiptar është i madh, vazhdojnë të nxjerrin pengesa absurde për çdo vit./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka