Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Industria e emigrantëve shqiptarë nëpër botë realizon afro 7-fishin e investimeve të huaja të thithura nga administrata shqiptare. Në rastin e emigrantëve, të ardhura vijnë pa kosto, marrëveshje apo negociata. Prej vitesh industria e emigrantëve është më prodhuesja, por dhe më pa e organizuara. Nuk ka asnjë strategji për organizimin e këtyre parave, të cilat lëvrijnë thuajse në mënyrë ilegale, shpesh edhe jashtë bankave.

Të ardhurat e emigrantëve përdoren më së shumti për konsum, ndërtime dhe tregti, ndërsa nuk ka asnjë plan qeveritar për orientimin e tyre në investime të qëndrueshme. Për tre muajt e parë të këtij viti, emigrantët shqiptarë kanë sjellë nëpërmjet transfertave afro 193 milion dollarë, ndërsa investimet e huaja të thithura për të njëjtën periudhë janë 27 milion dollarë.

Disa herë më të larta rezultojnë dhe gjatë viteve të kaluara të ardhurat e emigrantëve ndaj investimeve të huaja, investime për të cilat qeveria akordon shpenzime buxhetore, administrative dhe interesa kredie për të shlyer. Parashikohet që brenda vitit emigrantët shqiptarë nëpër botë të sjellin afro 650 milion dollarë të ardhura, por duket se kjo shumë do të shërbejë vetëm për të mbushur boshllëqe dhe jo për të rritur realisht standartet./tvklan.al