Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend do t’u injektohen rreth 30 milion euro kredi, ku financuese është qeveria italiane.

Për Ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, ky projekt lehtëson aksesin e biznesit shqiptar pranë bankave tregtare.

Genc Ruli: “Krijimi i një fondi të garancisë do shërbejë si instrument që do t’i japi besimin bankave për të lehtësuar kreditimin e këtyre subjekteve nëpërmjet mekanizmit të garantimit të riskut të kredisë. Aktualisht pjesa më e madhe e kreditimit të fermerëve realizohet nga fondet private të vetë bankave sot. Me këtë program mbështetës të qeverisë italiane qeveria shqiptare si importuese direkte jep një kontribut të rëndësishëm për kreditimin e fermerëve”.

Mese 95% e bizneseve që operojnë në vendin tonë kategorizohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme në kushtet e krizës globale financiare një projekt i tillë me rëndësi akoma më të madhe.

Ridvan Bode: “Programi që ne iniciojmë sot përbën një instrument tepër të përshtatshëm për të mbajtur të lartë nivelin e kreditimit ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë nevojë në këtë periudhë që të mbështeten në mënyrë më aktive, jo vetëm për t’u mbështetur me linja krediti, por për t’u mbështetur në linja të buta krediti.”

Kreditimi i biznesit shqiptar nga sistemi bankar ka njohur një rritje domethënëse vitet e fundit.

Fatos Ibrahimi: “Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë kredia për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në Nëntor të vitit 2008 paraqitet rreth 60% më e lartë se fundi i vitit 2006 duke përbërë një raport mbi gjysmën totale të kredisë bankare dhënë për biznesin”.

Ambasadori italian në vendin tonë ky projekt tregon nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes të dy vendeve.

Saba D’Elia: “Prej kohësh Italia përbën partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë ku vetëm për 2008-tën zuri rreth 35% të volumit tregtar. Ky projekt do të mbështesë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Fondi do të shpërndahet nga pesë banka tregtare në vend”.

Ky projekt u mundëson kompanive shqiptare kredi nga 50 mijë në 500 mijë euro. Fondet do të lokalizohen sidomos për zonat më pak të zhvilluara të vendit në sektorë që ndihmojnë në hapjen e vendeve të reja të punës në agrikulturë apo në prodhimin e energjisë së pastër./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro