Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas Tiranës, qytetarët e Durrësit kanë bërë bllokadë për të parandaluar importin e plehrave. Sindikata e transportit ka paralajmëruar, se do të bllokojë punën në portin e Durrësit, nëse qeveria shqiptare vendos importimin e plehrave nga jashtë. Nuk do të lejojmë që përmes portit të kalojnë plehrat drejt Tiranës, është shprehur përfaqësuesi i sindikatës së transporteve.

Të rinj e të moshuar që janë mbledhur në sheshin përpara portit i janë përgjigjur thirrjes së koalicionit anti-korrupsion për të protestuar kundër importit të plehrave, e këtij grupi i janë bashkangjitur grupimi për Reagimin Qytetar, Parlamenti Rinor, e sindikatat e Durrësit.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve është shprehur se do të ndjekë rrugën ligjore për këtë çështje, padi kundër vendimit anti-kushtetues të qeverisë.

Kreshnik Spahiu: “Durrësi ka një nga pasuritë e vetme në Shqipëri, turizmin. Ju lutem shumë ruajeni këtë pasuri, që ua ka falur zoti, se nuk mund ta lejoni që mund ta marrin njerëz që kanë pushtet. Njerëz të cilët përdorin afera, njerëz të cilët pasurinë kombëtare, pasurinë tuaj e marrin për ryshfetet dhe pisllëqet e marrëdhënieve të tyre korruptive. Prania juaj sot në publik tregon se ka ardhur koha që partitë politike të mbyllen në salla dhe zyra, ka ardhur koha që politikanë dhe qeveritarë të korruptuar t’i hipin avionit dhe të largohen nga Shqipëria”.

Së bashku ZMQ e Këshilli Rinor Shqiptar, janë shprehur se ligji e thotë qartë e ndalon importin e mbeturinave. Nëse nuk zbatohet ky ligj, do të kërkojmë ndihmën e qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, për të mos lejuar hyrjen e asnjë mbetje të huaj./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti