Pas takimit me fermerët e Gramshit, kryesocialisti Edi Rama, është ndalur për të bashkëbiseduar me banorët e këtij qyteti. Rama ka kërkuar një bashkim të ri përtej mureve ndarëse që kanë vendosur partitë mes njerëzve duke lënë çdo ditë sipas tij në më shumë varfëri, papunësi dhe mungesë perspektive.

Edi Rama: “T’i japim jetë një bashkimi të ri në emër të interesave të familjeve tona, t’i japim jetë një bashkimi të ri jo në emër të asaj që na ka ndarë gjatë gjithë këtyre viteve po në emër të asaj që na bashkon në vitet që vijnë dhe që është e ardhmja e fëmijëve tanë”.

Për Ramën beteja e vërtetë e partisë që ai drejton nuk bëhet për të fituar me kundërshtarin e tij politik Berishën, por me papunësinë dhe varfërinë.

Edi Rama: “Beteja nuk është një betejë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Beteja është një betejë mes familjeve shqiptare dhe varfërisë, mes familjeve shqiptare dhe papunësisë, mes familjeve shqiptare dhe injorancës, mes familjeve shqiptare dhe korrupsionit dhe dhunës, mes familjeve shqiptare dhe të nesërmes që familjet shqiptare mund të gdhihen pa ankthin se çfarë do të kenë në tavolinën e bukës”.

Për kryesocialistin vetëm përmes një politike të re, ku në qendër të jetë qytetari. Do të ndryshojë realitetin në çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë, pavarësisht largësive gjeografike me kryeqytetin./tvklan.alGazetare: Elja Zotka