Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në shumë aspekte të qeverisjes dhe në luftën kundër korrupsionit, sidomos këtë vitin e fundit, thuhet një raport i Bankës Botërore. Në studimin e Bankës Botërore për vlerësimin e qeverisjes dhe monitorimit të reformave thuhet, se këtë herë vendi ynë ka shënuar  përparim në të gjashtë kategoritë e treguesve të qeverisjes.

Kështu vërehet një përmirësim i ndjeshëm në sundimin e ligjit sidomos në vitet 2004-2007, po ashtu, edhe treguesi i cilësisë rregullatore e rendit Shqipërinë në gjysmën e parë të vendeve me nivel më të mirë, ndërkohë që përmirësime të dukshme, sipas studimit, janë vënë re edhe në stabilitetin politik, lirinë e fjalës dhe përgjegjshmërinë. 

Shqipëria ka patur përmirësim edhe në treguesin për efikasitetin e qeverisë. Një problem serioz me të cilin përballet vendi ynë është shteti i së drejtës ndërkohë që vendet e rajonit vlerësohen më mirë. Studimi i përvitshëm i Bankës Botërore realizohet duke shfrytëzuar e përdorur 35 burime të ndryshme të dhënash, pikëpamjet e dhjetëra, mijëra pjesëmarrësve në anketa dhe mijëra ekspertëve në sektorët privatë e publikë./tvklan.al