Pas publikimit të raportit vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Mekanizmit Kombëtar të Referimit që mbulojnë çështjet e trafikimit.

Veç se bëri një panoramë të situatës dhe arritjet, duke ju referuar raportit të DASH, ku thuhet se  “Gjykatat nuk dënuan asnjë trafikant për të dytin vit radhazi, krahasuar me 11 dënime në 2021”, ministri Balla tha se është e nevojshme  një bashkëpunim më i madh mes institucioneve me qëllim parandalimin e fenomenit.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Na duhet të punojmë me qeveritë, por edhe me sektorin privat, shoqërinë civile, organizatat shumëkombëshe, qytetarët edhe të mbijetuarit që kuptojnë sfidën komplekse se si mund ta adresojmë këtë fenomen dhe këtë problem të madh.

Në këtë takim të zgjeruar ku morën pjesë përfaqësues të prokurorive, gjykatave dhe SPAK, u diskutua mbi rekomandimet prioritetet e raportit të DASH, për t’u adresuar nga autoritetet shqiptare, për të hetuar, ndjekur dhe dënuar veprat e trafikimit.

Sipas raportit të DASH, Shqipëria konfirmohet në vendet e nivelit të dytë për Trafikimin e Personave bashkë me 97 vende të tjera nga e gjithë bota. Vendet e nivelit të dytë konsiderohen ato ku “Qeveritë e të cilave nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato standarde”.

Policia e Shtetit shqiptar për vitet 2022 dhe 2023 hetoi 111 raste të trafikimit, ndërkohë që  për 6-mujorin e parë të 2024, për veprën penale Trafikim i personave të rritur janë evidentuar gjithsej 9 vepra penale për trafikim e personave të rritur.

Klan News