Në kërkim të personave të humbur, Aida Shtino, së bashku me stafin e gazetarëve qëndruan deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës në valët e TV Klan.

Orë të ngarkuara transmetimi direkt dhe me plot raste të reja të trajtuara jashtë të zakonshmes, histori personash të zhdukur, të denja për të qenë fabula të filmave thriller.

Një gjetje e trishtë ishte ajo e radhës në emisionin “Njerëz të humbur”. Nezir Gashi kishte humbur kontaktet me familjarët nga Gjermania që prej Janarit të vitit 2003.

Pas disa kohë verifikimesh me anë të ambasadës sonë në Gjermani u provua se fatkeqësisht Neziri kishte ndërruar jetë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua dhe një herë rastit të djalit nga Mirdita, Marjan Shurbit. Pikëndalesa më e fundit në historinë e Marjanit qëndron në fundin e vitit 2008 në burgun e Koridhalosë në Athinë.

Një shqiptar para pak kohësh, i liruar nga ai burg, pohon se e kishte takuar Marjanin atje.

Aida Shtino: “Do të doja ta shikoni dhe një herë foton për t’u siguruar kemi të bëjmë me njëjtin person apo është person tjetër ai që ju keni takuar në burgun e Koridhalosë.”

“Unë jam 99% i sigurt se është i njëjti person ky që po shoh në fotografi tani.”

Aida Shtino: “Atëherë mund të më tregoni tani zotëri se kur e keni parë dhe ku?”

“Në burgun e Koridhalosë, në Athinë”.

Aida Shtino: “Po, kur e keni parë për herë të fundit”.

“Tani, në 2008-tën.”

Aida Shtino: “Në çfarë muaji?”

“Në muajin Dhjetor dola unë, më 23 Dhjetor kam dalë nga burgu unë. Kam ndejtur 2-3 muaj me të në Koridhalo”.

Aida Shtino: “Ju ka treguar se nga ishte, si ka ardhur në…?”

“Ai më ka treguar se ishte nga Mirdita.”

Dhe nëse përmenden histori zhdukjesh të denja për të qenë fabula filmash thriller nuk mund të lihet mënjanë rasti i Sabri Ymerit, njeri me një jetë të rrëmbyeshme, ndalesa e së cilës kurrsesi nuk mund të hamendësohej.

Aida Shtino: “Për herë të fundit ju e patë në orën 7 të mëngjesit, apo jo?”

“Po, 7, 7 e gjysmë, mëngjes sa vajta në punë, ne e merrnim punën në mëngjes, ikën shokët. Ai sa ikën ata, iku dhe ai. Sabriu i bënte të gjitha”.

Aida Shtino: “Po, e kuptoj. Kur thoni i bënte të gjitha çfarë konkretisht?”

“Më kupton? Po merrej dhe me kontrabandë. E di dhe policia”./tvklan.al