Juela Meçani: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, thellësisht i pikëlluar i shpreh edhe një herë ngushëllimet e tij më të sinqerta familjarëve të 4 viktimave për humbjen e njerëzve të tyre të dashur në aksidentin tragjik të Butrintit. Reagimi i zotit Rama dhe i eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste lidhur me këtë ngjarje është në linjën e tyre të akuzave boshe dhe të përpjekjeve për të nxjerrë përfitime politike nga vdekja. Kjo është në moralin dhe të drejtën e tyre, por ajo që është e papranueshme janë thirrjet e tyre për lejimin e skafeve, njëlloj si të jenë zëdhënësit e skafistëve. Kryeministri Berisha nuk mund të mos shprehë shqetësimin për interesa jo të pastra që fshihen pas thirrjeve të opozitës. Natyrisht ai nuk pajtohet me to sepse rikthimi i skafeve parakupton jo vetëm mundësinë e tragjedive më të mëdha në det, por ndëshkimin e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve për liberalizmin e vizave dhe kjo nuk mund dhe nuk do të ndodhë për interes atë një grushti individësh për të pasuruar me veprimtari kriminale apo të politikanëve që duan të ndajnë me ta trofetë e këtij trafiku. Qeveria Shqiptare angazhohet për një kontroll gjithnjë e më të mirë të kufirit edhe për plotësimin e të  gjithë kritereve dhe standardeve që do të japin mundësinë e liberalizmit të vizave shqiptarëve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian.”/tvklan.al