Fenomeni i konsumimit të drogave të ndryshme nga rinia shqiptare e rendit vendin tonë në nivelet evropiane.

Trendi i pirjes së drogave të reja apo të vjetra është në rritje. Ky fakt u bë i ditur nga përfaqësues të agjencisë së bashkisë së Romës për toksikodipendencën dhe ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia, gjatë çeljes në Tiranë të zyrës për vartësinë nga droga, e cila do të funksionojë në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës.

Saba D’Elia: “Ky është një manifestim konkret përmes të cilit, Italia tregon afërsinë dhe ndjenjat për Shqipërinë. Ministria e Jashtme italiane ka ofruar ndihmën e saj ekonomike në mbështetje të projektit me një kontribut prej 770 mijë eurosh. Ndërsa kostoja totale e tij është 870 mijë euro”.

Eduard Shalsi: “Nuk mund të kemi një qytet të shëndetshëm pa qytetarë të shëndetshëm dhe nuk mund të kemi qytetarë të shëndetshëm në rast se nuk do të luftojmë shkaqet e këtyre plagëve apo sëmundjeve sociale pa edukuar të rinjtë dhe pa kultivuar tek ata të kuptuarit se stili dhe mënyra e jetesës janë faktorë vendimtarë për një jetë të shëndetshme”.

Zyra Tirana, do të orientojë të rinjtë në risk se ku duhet të drejtohen, ndërsa do të sensibilizojë komunitetin mbi substancat narkotike, rreziqet, mënyrën e marrjes si dhe varësinë që krijohet nga drogat./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami