Projekt rezoluta për antikorrupsionin e riktheu në parlament pas disa seancash mungese, për t’i dhënë opozitës një mesazh, ndonëse kjo e fundit e priti me kaos në seancë plenare.

“Kjo është çfarë i duhet nga ky Kuvend Shqipërisë e shqiptarëve për të mbështetur anëtarësimin në BE në 2023”, tha Kryeministri Edi Rama.

Poshtë hodhi çdo akuzë se pas kësaj nisme qeveria synon të vërë nën kontroll SPAK-un.

“Kush rri dhe numëron, ‘u thirr ky dhe u arrestua ai, u dënua ky dhe u dënua ai’, duke e kthyer opozitën politike dhe mediatike në një llogore baltosjeje, thjesht do të zhytet vetë”, u shpreh kryeministri.

Përpara opozitës ripërsëriti se qeveria e tij është në betejë pa kthim me korrupsionin që kur shqiptarët e votëbesuan 10 vjet më parë.

“Ata që kujtojnë që lufta me korrupsion në një shtet të ri demokratik, i cili deri para 10 vjetësh kishte zgjedhje gjysmë të lira dhe liri vjedhje nga të katër anët, nuk e kanë idenë se sa larg realitetit të kësaj lufte janë. Kjo nuk është luftë vulgare për pushtet por një luftë për institucione demokratike dhe funksionale”, shtoi Rama.

Opozitën e paralajmëroi se pavarësisht votës abstenuese të kësaj të fundit, sikundër reformën në drejtësi edhe këtë nismë nuk do mund ta ndalë.

“Votojeni dhe po nuk e gjetët këtë forcë mos e bojkotoni nesër komisionin që do ngrihet menjëherë. Shëndet me mend në kokë uroj, se keni akoma shumë për të parë, kur flamuri i Shqipërisë do jetë gati për tu ngulur në oborrin e shteteve europiane në Bruksel”, vijoi ai.

Por Gazment Bardhi në emër të grupit parlamentar të opozitës e cilësoi të panevojshme miratimin e kësaj projektrezolute, teksa e ftoi Kryeministrin që nëse e ka seriozisht këtë betejë, ta niste nga krimet zgjedhore.

“E nisim nga korrupsioni zgjedhor, i përkushtohemi atij në këto muaj të mbetur të këtij sesioni, e luftojmë siç do t’i kishte hije çdo vendi kandidat për në BE. Prandaj, do të abstenojmë, duke mos marrë pjesë në votim. Ju që nuk e keni ende të qartë axhendën tuaj, ju që keni nevojë t’ia konfirmoni vetës para pasqyrës që do luftoni korrupsionin me fjalë, mund ta bëni, mund të votoni rezolutën, mund të botoni madje edhe një libër apo manual sesi mirëqeveriset me Arben Ndokën apo Rrahman Rrahjan”, tha Gazment Bardhi.

Në kundërpërgjigje ministria Spiropali e ftoi të reflektojë duke u përfshirë në replika me Bardhin.

“Po lufton për drejtësi apo merr porositë për të folur këtu nga rruga e shtresës. Je ai që kërkon hetim për babin e Zenit, apo je djali i adoptuar i babait të Zenit”, u shpreh Spiropali.

“Unë jam Gazment Bardhi zonja ministre, djali i Durimit dhe i Vjollcës. Do të doje që të ishte vajza e babait të Surrelit, por je shumë larg, janë ca të tjera para teje. Po të pyes mos je gjë motra e Olsit, Arben Ndokës. Motra e Bajrave të Shkodrës, kunata e Pëllumb Gjokë, vajza e Mirel Mërtit apo Klodian Zotos. Gjeje përgjigjen se kush je”, shtoi Bardhi.

Sikundër edhe në Konferencën e Kryetarëve, projektrezoluta për antikorrupsionin pritet të kalojë vetëm me votat e maxhorancës.

Tv Klan