Gjatë një takimi konsultativ me Ministrinë e Brendshme dhe donatorët, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se gjatë vitit 2021 janë arritur suksese të vërteta, që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar e deri tek dënimi i prokurorëve duke përfshirë edhe dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla. Ky është vetëm fillimi, sipas Kim, e cila shtoi se tashmë ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria mundet dhe po merr fund. 

“Mënyra më e mirë, e vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe ekstremizmin e dhunshëm është të kemi institucione të pavarura që mbështesin sundimin e ligjit. Policia, prokurorët, gjyqtarët dhe politikanët duhet t’i rezistojnë, të luftojnë kundër efekteve gërryese të kanosjes, parave, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021. Që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar deri te dënimi i prokurorëve në nivele të larta, përfshirë një ish-Prokuror i Përgjithshëm deri tek arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të krimit të organizuar që kanë zënë titujt kryesor të lajmeve gjatë ditëve të fundit. Ky është vetëm fillimi. Po fillojmë të shohim një epokë të re, ky sistem mund t’u shërbejë qytetarëve të tij dhe jo vetëm të fuqishmëve. Ekziston ndjesia që pandëshkueshmëria mundet dhe po merr fund”, tha Kim.

Ambasadorja amerikane tha se vendet partnere kërkojnë që Shqipëria të jetë një vend ku të ketë drejtësi për të gjithë, të garantohet të drejtat e njeriut dhe të mbrohet qytetari. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe ekstremizmi i dhunshëm i shkatërrojnë këto cilësi sipas Kim.

“Më lejoni të theksoj diçka që Soreca tha diku nga fundi i fjalimit të tij duke theksuar se sa kritike është llogaridhënia dhe sigurimi që ndihma që secili prej nesh mund të japë. E bëjmë këtë në një mënyrë dhe kundrejt targeteve që e ndihmojnë Shqipërinë që të shkojë sa më pranë BE-së dhe të shkojë shumë pranë vende europiane. Kërkojmë një Shqipëri që ka drejtësi për të gjithë, që garantojnë inspektimin e të drejtave të njeriut dhe që mbron qytetarët e saj. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe ekstremizmi i dhunshëm i shkatërrojnë këto cilësi. Ato minojnë demokracinë, shtrembërojnë tregjet dhe kërcënojnë shtetin ligjor”, tha ambasadorja.

Yuri Kim: Pavarësisht sukseseve, Shqipëria është një rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore

Ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar këtë të mërkurë se pavarësisht të gjitha arritjeve, Shqipëria mbetet rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore në Europën Perëndimore.

Duke cituar një raport të UNODC ajo tha se deri në 65 tonë heroinë kontrabandohen në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dhe e gjitha kjo ndodh si pasojë e ndihmës së aktorëve shtetërore.

“Pavarësisht këtyre sukseseve të arritura me vështirësi shtetasit shqiptarë vazhdojnë që të luajnë një rol në rritje të trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar. Shqipëria është një rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore në Europën Perëndimore dhe Mbretërinë e Bashkuar. Të gjitha këto hollësi janë të parashtruara në raportin që DASH. Sipas UNODC vlerësohet se rreth 60 deri në 65 tonë heroinë kontrabandohen në rajon gjatë vitit. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Kjo tregon që trafikimi mund të ndodhë dhe mund të ndodhë vetëm me ndihmën e aktorëve shtetërorë, policë të korruptuar, agjentë dogane të korruptuar, dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Trafikimi i qenieve njerëzore është rritur po ashtu.  Numri i emigrantëve të paligjshëm gjithashtu është rritur nga më pak se 2 mijë në 2013 në pothuajse 12 mijë në vitin 2020. Shumica e këtyre emigrantëve mbështeten nga krimi i organizuar për të kaluar më tej kufirit. Korrupsioni luan një rol në të gjithë këtë. Me rritjen e trafikut të qenieve njerëzore, kriminelët do të përdorin fluksin e emigrantëve në favor të tyre. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat këtu dhe kontribuojnë në korrupsion në vend. Krimi i dhunshëm këtu lidhet shpesh me krimin e organizuar dhe policë, gjykatës, prokurorë e gazetarë kanë qenë subjekt i kanosjes”.

Unë kam parë se çfarë mund të bëjë Shqipëria dhe çfarë mund të bëjnë udhëheqësit shqiptarë kur ata e ndajnë mendjen për të bërë diçka. Ka zgjedhje praktike për këto probleme të tilla si financimi i një force policore të pavarur të lirë nga korrupsioni. Krijimi i një organi të duhur mbikëqyrës policor, forcimi i aftësisë tuaj për të luftuar narkotrafikun dhe krimin e organizuar, ndjekjen e fondeve të paligjshme që rrjedhin përmes sistemit të Shqipërisë dhe pastruesve të parave që bëjnë të mundur këtë, sekuestrimi i pasurive të kriminelëve që tashmë SPAK po e bën, duke bërë investime në sigurinë dhe infrastrukturën kufitare duke mbyllur të gjitha boshllëqet në trafikun e paligjshëm të mallrave dhe të njerëzve dhe sikurse keni parë, zyrtarë amerikanë të përfshirë, unë vetë kemi qenë në kufi me Greqinë për të instaluar më shumë masa si dhe forcimi i bashkëpunimit siç po bëjmë sot”, tha Kim./tvklan.al