“Opozita merret me molotiv dhe djegie gomash, ndërsa ne me kopshte dhe çerdhe”. Kështu i është përgjigjur protestës së opozitës përpara Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit tek “Mine Peza”.

“E di që të gjitha punët që bën bashkia janë punë që hanë debat, por është tjetër gjë kur bëjmë debat se si mund ta bëjmë më mirë sinjalistikën, si mund ta bëjmë më mirë asfaltin, si mund ta bëjmë më mirë ndriçimin LED, dhe është ndryshe kur bëhet debat si të hedhim molotovin, si të djegim goma. Po di të them një gjë: ata që djegin goma dhe molotovë, do të lodhen. Ata që ndërtojnë shkolla dhe bëjnë rruge, çerdhe, kopshte, mbjellin pemë, s’kanë për t’u lodhur kurrë. Qyteti do të mbajë mend ata që bëjnë shkolla dhe jo ata që bënë sherrin edhe zjarrin. Kështu që, pushka top, ata me molotov dhe me goma, ne me shkolla, kopshte, çerdhe”.

Veliaj tha se pavarësisht protestave, investimet në kryeqytet nuk do të ndalen.

“Shumë shpejt nisim Kopshtin Botanik, ka filluar Terminali i ri Perëndimor. Me të mbaruar atë, do të fillojmë sheshin fundor te Bulevardi i Ri. Do t’i lëmë qytetit një pajë të jashtëzakonshme. Kush do t’i shohë sherrin këtij qyteti, bujrum; kush do t’i shohë punën dhe mëngët e përveshura për të ecur përpara, do të ketë qytetin që kemi ëndërruar”.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, gjatë verës puna do të përqendrohet në ndërhyrjet dhe rikualifikimet e lagjeve të kryeqytetit.

Tv Klan