Mbi 1 mijë familje pritet të hyjnë në apartamentet e reja të përfituara nga procesi i rindërtimit në Kombinat. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se pas Gushtit do të hidhet shorti për shpërndarjen e banesave.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë verës, që kur njerëzit të kthehen nga pushimet, të hedhim shortin për Kombinatin. Këtu po ndërtojmë një super kompleks, një super lagje e ndarë në seksione të ndryshme. Para disa ditësh ishim te seksioni 5, 6, ndërsa ky është seksioni 7. Në total janë 1069 apartamente, të cilat do të gëzojnë 1069 familje, për të nisur një jetë të re në hapësira e kushte më të mira”,

Teksa vlerësoi cilësinë e punimeve në këto objekte, kreu i bashkisë tha se bllokimet artificiale të krijuara nga partitë nuk do e ndalin punën e bashkisë, edhe duke dhënë shpjegime përpara organeve të drejtësisë.

“Kemi pasur një kalvar me gjyqe nga lloj-lloj partish, por unë do të sigurohem që edhe betejat t’i bëjmë të gjitha, të japim çdo sqarim që duhet dhënë para organeve të drejtësisë, ama nga ana tjetër, nuk e ndalojmë punën. Është shumë e vështirë të bësh punë në një vend ku politika është futur në çdo pore dhe përpjekja për të penguar çdo gjë të mirë dhe çdo histori suksesi është titanike. Ne jemi ndarë në dy skuadra: Një skuadër që merret me gjithë bllokimet e partive nëpër gjykata dhe prokurori, me masa sigurie dhe çështje pronësie të paqena, të cilat na humbin kohën kot, por nuk ndryshojnë asgjë; kemi edhe një ekip tjetër që punon në terren, për t’u siguruar që i kapim afatet.”

Sipas Veliajt, falë këtij projekti do të marrë zgjidhje një herë e mirë problematika e vjetër e kanalizimeve të mbartura që nga koha e ish-komunave në Kombinat.

Tv Klan