Mbi 26 mijë votues do t’u drejtohen të dielën sërish kutive të votimit në Maqedoni për të zgjedhur partinë dhe kandidatin e preferuar.

Procesi i ripërsëritjes së zgjedhjeve do të zhvillohet në 187 qendra, në zonat me shumicë shqiptare.

Pas mesnatës të së premtes në vendin fqinj ka nisur heshtja zgjedhore, e cila duket se po respektohet nga partitë, veçanërisht ato shqiptare, si shenjë pozitive për mbarëvajtjen e votimit si një proces i qetë dhe demokratik.

Komisioni shtetëror zgjedhor dhe Ministria e Brendshme kanë marrë masa për shmangien e incidenteve, si ato të dy javëve me parë, të cilat u shoqëruan me viktima dhe të plagosur.

Të premten kryeministri Nikolla Gruevski ka kërcënuar hapur partitë shqiptare se nuk do të ftojë në koalicion asnjërën prej tyre, nëse mandatin e kanë fituar në mënyrë jo të rregullt zgjedhore.

Komuniteti ndërkombëtar apeloi për zgjedhje të rregullta e demokratike. Rivotimi do të vëzhgohet nga monitoruesit e ODIHR, ambasadorët dhe stafi diplomatik i shumicës së vendeve perëndimore./tvklan.al