Në intervistën që Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas-Greenfield dhe ambasadori shqiptar Ferit Hoxha dhanë për gazetarin Blendi Fevziu në Opinion, ata folën edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara në OKB për çështjen e Ukrainës.

Ambasadori Hoxha tha se të jesh bashkëpenëmbajtës do të thotë të jesh në ballë të një çështjeje. “Pra, bashkëpenëmbajtja për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara na bën propozuesit e parë për gjithçka që do të ose mund të ndodhë në Këshill”, tha Ambasadori.

Ndërsa Ambasadorja Thomas-Greenfield, tha se vota e Shqipërisë është po aq e rëndësishme sa vota e Amerikës dhe shtoi se zëri i ambasadorit shqiptar si bashkëpenëmbajtës është po aq i fortë sa zëri i saj.

Blendi Fevziu: Sigurisht, të jemi pak më të hapur. Dakord, bashkëpunojmë, jemi miq të ngushtë, por Amerika është Amerikë. Shqipëria si vend i vogël mund të ndihmojë me disa gjëra, por vërtet, keni nevojë për ndihmën tonë?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Jemi 15 vota…

Blendi Fevziu: Me të vërtetë?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Jemi 15 vota në Këshillin e Sigurimit dhe çdo votë ka rëndësi. Dhe vota e Shqipërisë është po aq e rëndësishme sa vota e Amerikës. Dhe kur jemi në Asamblenë e Përgjithshme, secila votë është e barabartë. Pra, po, mund të jetë vend i vogël, por është një vend i vogël që mban më shumë peshë.

Blendi Fevziu: Jeni e kënaqur me ambasadorin tonë në Kombet e Bashkuara?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Nuk mund të isha më e lumtur se sa jam me ambasadorin tuaj në OKB dhe me vendin tuaj në përgjithësi. Ka qenë një fillim i jashtëzakonshëm, një partneritet vërtet i fortë që kemi kur punojmë për çështjet, qoftë kur merremi me situatën në Ukrainë, kur merremi me sulmin e fundit nga iranianët kundër sistemit tuaj kibernetik, po punojmë shumë ngushtë me Shqipërinë dhe është një partneritet që do të mbetet gjithnjë i fortë.

Blendi Fevziu: Normalisht në fund të mandatit dy-vjeçar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, do ju pyes, a ngelët të kënaqur me Shqipërinë? Sepse tani jemi në mes të mandatit. Por, po pyes Ambasadorin, çfarë do të thotë për ju të jesh bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara në OKB?

Ambasadori Hoxha: Faleminderit Blendi që e bëtë këtë pyetje sepse është shumë e lehtë për t’u shpjeguar. Të jesh bashkëpenëmbajtës praktikisht do të thotë të mbash penën, pra të shkruash variantin e parë, të propozosh ose…

Blendi Fevziu: Të shkruash me dy duar…

Ambasadori Hoxha: Ndonjëherë, në kompjuter, po. Por do të thotë të jesh në ballë të një çështjeje. Pra, bashkëpenëmbajtja për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara na bën propozuesit e parë për gjithçka që do të ose mund të ndodhë në Këshill. Dhe jemi të parët që thërrasim mbledhje. Jemi të parët që propozojmë dokumente si projekt-rezoluta. Jemi të parët të propozojmë ndonjë deklaratë të përbashkët…

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Dhe negociojmë bashkë edhe me anëtarë të tjerë. Pra, zëri i tij është po aq i fortë sa zëri im si bashkëpenëmbajtës, sepse po negociojmë me partnerët tanë për të siguruar mbështetjen e tyre për rezolutat që hartojmë.

Blendi Fevziu: Në Kombet e Bashkuara.

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Po./tvklan.al