Rritja e shfrenuar e çmimit të karburanteve është reflektuar ndjeshëm edhe në tregun shqiptarë. Por nëse në tregjet botërore luhatjet e çmimit përcaktohen nga bursat, në vendin tonë fatura për 1 litër lëndë djegëse duket se është vetëm në dorën e distributorëve të vegjël. Tabelat e çmimeve në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve ndryshojnë pothuajse përditë, duke reflektuar jo vetëm paqëndrueshmëri por edhe mosbesim tek konsumatorët.

Në kryeqytet ditët e fundit çmimi i naftës Euro Diesel ka kapur shifrën rekord 160 lek për litër, ndërsa Benzina 155 lek/litër. Por krahasuar me rrethet e tjera diferenca në çmim shkon nga 5 deri në 150 lekë. Kështu në Shkodër 1 litër naftë Euro Diesel kushton 140 lekë, ndërkohë që edhe benzina mbetet në të njëjta kuota.

Qytetari: “Çdo ditë që rritet, çdo ditë e më tepër ndikon në ekonominë tonë”.

Qytetari: “Ka ndiku shumë rritja e çmimit me këta çmime që janë edhe nafta. Ne punojmë vetëm për naftë”.

Në Durrës çmimi i benzinës dhe naftës Euro Diesel është gozhduar në 145 lekë/litri.

Qytetari: “Skandaloze, fjalë tjetër s’ka. Abuzim ka për çmimin”.

Qytetari: “Ata ku të shkojnë më, 150 lekë kilja”.

Qytetari: “Çmimi i blerjes plus 37 lekë është akciza, i shton dhe 20% i TVSH-së dhe del çmimi real i karburantit sot në vend”.

Në Lushnje, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër çmimet luhaten në të njëjta kuota po me diferenca të vogla. Varja në një masë të madhe nga importi u krijon mundësinë tregtarëve që të justifikojnë luhatjet e çmimit të karburanteve duke e kthyer konkurrencën në një lojë shifrash të përditshme, koston e së cilës e paguajnë vetëm konsumatorët./tvklan.al