Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka mbledhur në një takim strukturat drejtuese të 12 Drejtorive Vendore në qarqe.

Burime bëjnë me dije se në mbledhje Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar përmirësimin e standardit të shërbimit policor, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Një tjetër porosi ishte për të forcuar dhe përmirësuar shërbimet në terren për të përballuar numrin e shtuar të turistëve, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj tyre, si dhe për të parandaluar e zbuluar ngjarjet kriminale.

Kryepolici është shprehur se shkelje e etikës nga punonjësit e policisë, në kontakt me turistët, nuk do të trajtohet vetëm si një përgjegjësi individuale, por edhe si një përgjegjësi e drejtuesve përkatës.

Policia e Shtetit nuk është një strukturë për vendosjen e gjobave dhe vjeljen e tyre, por është në shërbim të qytetarëve, vendas dhe të huaj, duke dëshmuar etikë dhe profesionalizëm. Këshillimi dhe ndihma për qytetarët duhet të jenë parësore në punën e punonjësit të policisë.

Muhamet Rrumbullaku kërkoi nga drejtuesit vendorë të policisë marrjen e masave për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, me një fokus të veçantë te lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike dhe vendosja përpara drejtësisë e personave në kërkim.

Një nga pikat ku është ndalur Drejtori i Policisë ka të bëj me marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Sipas tij çdo parcelë kanabisi nuk mund të mbillet pa informacion në strukturat e policisë, ndaj kërkoi që të goditet çdo rast.

Klan News