Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Jugu i Shqipërisë ka qenë ndalesa më e fundit elektorale e Partisë Demokratike. Lideri i saj Sali Berisha, ka prezantuar në rrethin e Tepelenës kandidatin e PD për bashkinë e këtij qyteti Arben Çullin. Ulja e taksave sipas Berishës është detyra prioritare, në mënyrë që të rriten të ardhurat e tepelenasve.

Sali Berisha:- “Ju jap fjalën, se vendimi i parë do të jetë heqja e imunitetit për të gjithë imunitarët, në mënyrë që ligji dhe imuniteti të mos mund të përdoren për t’u varfëruar ju, të mos mund të përdoren për pasurinë personale të qeveritarëve, në mënyrë që taksat tuaja të përdoren për fëmijët tuaj”.

Takimi i opozitës vijoi në Përmet, ku për PD kandidon Ilirjan Ibrahimi.

Sali Berisha:- “Përmeti është pa ujë, sepse qeveritarët jo vetëm vjedhin taksa, por me këtë vjedhje dhe korrupsion, ata kanë bllokuar të gjitha fondet e komunitetit ndërkombëtar për Shqipërinë”. Turi elektoral i Berishës u mbyll në Gjirokastër me prezantimin e kandidatit të opozitës për postin e kryetarit të bashkisë Ylli Asllani.

Sali Berisha:- “Votoni për Ylli Asllanin, ju jap fjalën se transparenca, lufta kundër korrupsionit do të jetë objektivi ynë i parë”./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini