Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një letër siç është quajtur brengosëse është nisur sot për në zyrën e shefit të UMNIK-ut Shtajner. Ndonëse në UMNIK ende asgjë nuk dihet rreth fatit të kësaj letre, mediat serbe kanë kumtuar për letrën e dërguar Shtajnerit nga anëtarët e koalicionit Kthimi. Politikanët serb në letrën e tyre kanë shprehur dozë pakënaqësie dhe brengosje rreth punës së Kuvendit të Kosovës.

Të shqetësuar rreth deklaratave të partive tona politike për shpalljen e pavarësisë të Kosovës, serbët i kanë bërë thirrje Shtajnerit, të përdorë siç thuhet, fuqinë që të parandalojë një gjë të tillë.

“Shumica e shqiptarëve kanë keqpërdorur institucionin e Kuvendit dhe kanë promovuar idetë e tyre politike, duke rrezikuar parimin e multietnicitetit në Kosovë”, thuhet në letrën e koalicionit Kthimi.

Deputetët serbë kanë bërë rutinë pakënaqësitë e tyre në ndonjë qëndrim që merret nga Parlamenti i Kosovës, pa ndonjë koment lëshojnë sallën e Kuvendit. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe javën e kaluar, kur kryeparlamentari Daci miratoi kërkesën që Fatmir Limaj, të mbrohet në liri./tvklan.al