Sezoni i ardhshëm i Kupave Europiane, falë edhe formatit të ri do ketë ndikim të madh në arkat e klubeve. Ato që pritet të përfitojnë më shumë në këtë aspekt duket se janë ekipet e Serie A.

Tetë skuadra do të marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s, diçka që do sjellë një ‘boom’ të konsiderueshëm në buxhet. Në total, sezoni 2024/25 do të sjellë për skuadrat italiane 263 milionë euro të ardhura. Të gjitha klubet pjesëmarrëse do të marrin një shumë fikse të lidhur me pjesëmarrjen në turne, e cila do të jetë 18.6 milionë euro në Champions League, 4.3 milionë në Europa League dhe 3.1 milionë për Ligën e Konferencave.

Këtyre parave duhet t’i shtohen edhe ato që UEFA do të paguajë në bazë të renditjes historike. Interi do të jetë skuadra që do të fitojë më shumë në këtë aspekt. Zikaltërit përllogaritet të marrin rreth 51 milionë euro, pa përfshirë këtu të ardhurat nga biletat.

Të ardhurat më të ulëta do t’i ketë Fiorentina. Edhe pse dy herë në finalen e Conference League, Vjolët nuk kanë arritur ta fitojnë kompeticionin, për t’i lënë në vetëm 10.2 milionë euro bonuset europiane për sezonin e ri. Kampionati Italian do të jetë edhe kompeticioni më me prezencë në UEFA, për të qenë kandidat potencial për titujt Europian.

Klan News