Marash Kumbulla mbetet ende në dyshim për qëndrimin te Roma. Mbrojtësi është rikthyer tek skuadra kryeqytetase me të cilët ka zhvilluar edhe seancat stërvitore në prag të sezonit të ri.

Por mungesa në Euro2024 në radhët e kombëtares shqiptare duket se do e penalizojnë për vazhdimësinë. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, 24-vjeçari do të pres zhvillimet e merkatos së kryeqytetasve për të vendosur më pas edhe rrugëzgjidhjen.

Tekniku i Romës, Daniele de Rossi ka kërkuar të shikojë në aksion Kumbullën, i cili vjen pas eksperiencës jo shumë pozitive nga huazimi te Sassuolo. Pavarësisht optimizmit, Roma mund të shikojë për një strehë të re për mbrojtësin.

Një tjetër huazim për 24-vjeçarin shihet si pista më konkrete, opsion që është gati për ta shfrytëzuar Parma. Skuadra e ngjitur këtë sezon në Serie A ka shfaqur tashmë interes për Kumbullën, teksa do i garantonte këtij të fundit minutat për të rikthyer formën e shqiptarit para ndeshjeve vendimtare edhe me kombëtaren kuqezi.

Klan News