Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Eduard Shalsi ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” për demostratën që ka shpallur opozita, e cila u anonçua në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe u mbështet nga të gjitha partitë e tjera të opozitës. Këtë demostratë Rama e ka cilësuar si demostratën e qytetarëve.

Në lidhje me reagimin e opozitës ditën e hënë, gjatë fjalës së kryeministrit Berisha në parlament, Shalsi u shpreh: “Këtë herë kishte një reagim në bllok sepse kupa ishte mbushur prej kohësh dhe herën e fundit u derdh. Ky njeri vazhdon të njëjtin fjalor. Ky lider që nuk u ngrit asnjëherë në rolin e një burri të mirëfilltë shteti vazhdon të sillet si një udhëheqës primitiv. Vazhdon të fyejë, të ofendojë, të shajë. Ne jemi pjesë e jetës parlamentare, e cila ka dhe duhet të ketë norma dhe etikë, por janë të bërë aspak të respektueshme nga ky njeri, i cili herë pas here provokon duke toksifikuar”.