Në Konferencën Rajonale për Ekonominë, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe dërguari i SHBA-së në Tiranë, David Wisner vunë theksin tek rëndësia e luftës së korrupsionit dhe roli i sistemit të drejtësisë, duke i kërkuar qeverisë të marrë masa për përmirësimin e klimës së biznesit me qëllim që të rinjtë të shohin të ardhmen këtu dhe jo diku gjetkë.

David Wisner: Në Shqipëri SHBA-të janë përqendruar në tre prioritete: tek mbrojtja, demokracia dhe biznesi. Dhe për këto çështje jemi duke punuar që të shohim progres. Kemi qenë të përqendruar në reformën në drejtësi dhe kemi parë përparim të jashtëzakonshëm. Drejtësia që i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë është thelbësore. Kjo është diçka që të gjithë biem dakord dhe është vendimtare.

Silvio Gonzato: Drejtësia do të shmangë korrupsionin dhe s’do të lejojë keqpërdorim e të mirave publike sidomos në prokurime. BE këmbëngul që qeveria të kryejë konsultime me bizneset që ato të kuptojnë nëse po merren nisma për të krijuar një klimë të mirë biznesi. Të rinjtë largohen sepse mendojnë se nuk kanë mundësi për të zhvilluar kapitalin e tyre për një Shqipëri të begatë e të drejtë.

Në këtë konferencë marrin pjesë rreth 28 liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga SHBA, BE dhe vendet e rajonit për të diskutuar mbi zgjidhjet për rritjen ekonomike dhe procesin e anëtarësimit në BE.

Klan News