Dita e dytë e vizitës së shefit të FIFA-s Blater në Tiranë, ka nisur me takimin me Presidentin Mejdani. Është kënaqësi për mua të takoj numrin 1 të shtetit shqiptar ka theksuar Blater pasi kjo tregon se interesimi për sportin dhe në veçanti për futbollin nuk mungon as në sferat më të larta. Ndërkohë Presidenti Shqiptar ka falenderuar delegacionin e FIFA-s dhe ka premtuar se dhe në vazhdim ndihma për futbollin do të rritet sepse dhe arritjet në këtë disiplinë kanë qenë të kënaqshme duke përmendur dhe fitoren e fundit të ekipit tonë kombëtar me Greqinë.

Në fund të bisedës përsëri një fotografi e përbashkët dhe pastaj delegacioni i FIFA-s ka vizituar stadiumin “Qemal Stafa” ku shefi i futbollit botëror ka parë nga afër investimet e kryera dhe impiantin e dhuruar nga organizmi që ai drejton. Në vazhdim një ndalesë e shkurtër në ambjentet pranë konvikteve të universitetit ku pritet të ngrihet një qendër kombëtare futbolli e cila para së gjithash duhet të shërbejë për argëtimin e rinisë shqiptare. Kontakti me median shqiptare ishte dhe konferenca e shtypit në Pallatin e Kongreseve.

Është kënaqësi për mua t’u tregoj se ndihem i kënaqur nga vizita në familjen e futbollit shqiptar komentoi Blater dhe mesazhi im për ju është: Në vendin tuaj nuk mungojnë lojtarët, por infrastruktura dhe FIFA nëpërmjet projektit GOLD do të përpiqet të japë kontributin e saj si financiarisht dhe ekonomikisht. Ky ky qenë epiologu i vizitës 24 orëshe në Tiranë i shefit të FIFA-s që përbën dhe vlerësimin më të madh për federatën dhe futbollin shqiptar që tashmë po gëzon dhe interesimin e organizmave më të lartë të futbollit botëror./tvklan.al