Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përgatitur kallëzim penal për 4 punonjës të zyrave qendrore dhe vendore të regjistrimit të paluajtshme në Tiranë dhe për disa funksionar të ish-komisioneve të kthimit dhe të kompensimit të pronave në Tiranë dhe të ndarjes së tokave bujqësore në komunat e Farkës dhe të Kasharit.

KLSH ka bërë të ditur, se kallëzimet janë kryer për shkak të shkeljeve të vërejtura nga kontrollet e ushtruara për periudhën 2005-2007. Që më shumti janë mbivendosje pronash dhe falsifikimesh. Në zyrën qendrore të regjistrimit në Tiranë janë gjetur tre shkelje. Në komunën Dajt 5 raste të tilla, në Kashar dhe në Farkë nga tre raste.

Zëdhënësi i KLSH pohon se mes të kallëzuarve rezulton edhe ish-kryeregjistruesi i Tiranës Alket Shpendi.

Edvin Morava: “Janë konstatuar raste për një sipërfaqe prej 323 mijë e 490 metra katrorë tokë/pyll  në zonën kadastrave Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru. Të kthyer me vendim të ish-komisionit të kthimit të pronave në Tiranë, ku vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar është mbështetur në vërtetime të falsifikuara.”

Ndërkohë e menjëhershme ka qenë edhe reagimi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas të cilës shkeljet për të cilat raporton KLSH-ja janë evidentuar nga kjo zyrë dhe kanë marrë zgjidhjen e duhur kohë më parë.

Kjo zyrë sqaron se ka pezulluar regjistrimet e paligjshme, madje ka pushuar nga puna punonjësit që kanë kryer parregullsi, duke kërkuar dhe ndjekjen penale në prokurori./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro