Policia ka arrestuar sipërmarrësin Leonard Gjini në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në 1 Mars në Lushnje ku shpërthimi në një kapanon në ndërtim i mori jetën 2 personave dhe plagosi 7 të tjerë.

32-vjeçari Gjini është vënë në pranga me urdhër të prokurorit për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda. Sipas policisë, ai ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonin dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpërthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Uniformat blu po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Kujtojmë se nga kjo ngjarje e rëndë humbën jetën Roland dhe Elidon Hoxha, babë e bir. Dy viktimat e kishin ditën e parë të punës në kompani. Të plagosur mbetën 7 persona, mes të cilëve edhe deputeti i PS-së, Bujar Çela. Gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut (Lexo më shumë).

Pas ngjarjes policia nisi hetimet për të zbuluar shkaqet e këtij rasti. Fokusi i autoriteteve u drejtua edhe nga zbatimi i rregullave të sigurisë në punë duke çuar në këtë mënyrë në arrestimin e Gjinit (Lexo më shumë).

Një nga pistat që shkaktoi shpërthimin e rëndë dyshohet se është plasja e një prej bombolave të mbushura me oksigjen si pasojë e nxehtësisë së shkaktuar nga saldimi dhe jo nga kontakti me kabujt e tensionit të lartë siç u raportua në fillim (Lexo më shumë).

Për këtë ngjarje u pyet këtë të martë edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili u kërkoi atyre që i quajti “kukuvajka të politikës” që të lenë Policinë e Shtetit dhe prokurorinë të bëjë punën si duhet (Lexo më shumë).

Për këtë ngjarje është ngritur një grup nga Emergjencat Civile të Bashkisë së Lushnjes për të bërë verifikime të banesave private të  cilat u dëmtuan si pasojë e shpërthimit të datës 1 Mars./tvklan.al