Për shkak të plagëve të marra nga shpërthimi i së Premtes në Lushnje, dy të plagosur, deputeti i PS, Bujar Çela dhe një 42-vjeçar po marrin trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës.

Mjekët e këtij spitali shprehen se gjendja e Bujar Çelës është stabël edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale të kryer për shkak të plagëve të marra në zonën e barkut. Deputeti Çela vijon te jete ne survejimin e bluzave të bardha, edhe pse nuk ka asnjë rrezik për jetën.

Nga ana tjetër edhe 42-vjeçari, Sokol Lumi i cili u soll nga Lushnja për trajtim më të specializuar në Tiranë për shkak të plagëve të marra kryesisht në pjesën e kokës, gjendja e tij është stabël.

Ndërsa 5 të plagosurit që u dërguan në spitalin e Lushnjes menjëherë pas ngjarjes ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të largohen për në banesat e tyre.

Mësohet se dy viktimat babë e bir kishin ditën e parë që punonin në këtë kompani. Për këtë do të paguheshin nga deputeti Bujar Çela. Roland Hoxha ishte pronari i kamionit që ofronte dhe shërbimin e vinçit. Në momentin e shpërthimit të fuqishëm babai dhe djali 24-vjeçar kanë qenë në vinç.

Fatkeqësisht Roland Hoxha ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa i biri Elidon Hoxha mbylli sytë teksa po transportohej me ambulancë për në Tiranë.

Tv Klan