Tekniku do takohet me Marotta, kthesa në ndeshjen ndaj Romës



Simone Inzaghi po kalon aktualisht periudhën më të vështirë si trajner i Interit. Rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit, të cilat kulmuan me humbjen 3-1 ndaj Udinese kanë lëkundur jo pak pozitat e italianit. Zikaltërit kanë humbur tre nga shtatë ndeshjet e para të Serisë A, teksa në Europë gjërat janë pak më ndryshe. Fitorja ndaj Plzen sfumoi disfatën kundër Bayern Munich duke lënë në lojë italianët për tu kualifikuar më tej në raundet e Ligës së Kampionëve.

Siç theksohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Inter është në krizë dhe i sakrifikuari i parë mund të jetë Inzaghi. Italiani do të ketë një bisedë kokë më kokë me drejtorin sportiv, Beppe Marotta, i cili pritet t’i jap sigurinë dhe të konfirmojë mbështetjen e drejtuesve të lartë për të vijuar punën te Interi.

Inzaghi është i bindur se gjërat do të ndryshojnë për mirë shumë shpejt, duke filluar nga ndeshja e tyre e radhës kundër Romës së Zhose Murinjos. Ai nuk ka fajësuar asnjë nga lojtarët e tij, për të marrë përgjegjësitë e tij për këtë start të dobët të kampionatit. Klan News