Kur hakerat këmbëngulin historia ka treguar që arrijnë të futen në sisteme. Kështu u shpreh këtë të hënë eksperti i sigurisë, Redian Qiriazi. Ai u shpreh se sulme të tilla mund të kenë disa qëllime.

“Historia ka treguar që kur ka këmbëngulje nga hakerat arrijnë që eventualisht të penetrojnë në sisteme. Aq më tepër kur bëhen dhe gabime, lejohen porta të hapura. Kërcënimi është në rritje nga ana e Iranit edhe në anën e sulmeve hibride. Shikojmë si ka patur kërcënime të drejtpërdrejta terroriste në vitin 2018 ndaj Kryegjyshatës, më pas këta kanë vijuar pas vrasjes së Soleimanit me kërcënime të drejtpërdrejta që erdhën nga Khomeini në atë periudhë. Kemi momentet e para, indiciet e para që Irani mund të kryente sulme ndaj Shqipërisë për shkak se kapacitetet e tyre jo vetëm që ishin të provuara, por edhe të konsoliduara për të arritur diçka të tillë. Shikojmë se si kjo gjë mund të ketë disa qëllime. Njëra prej tyre mund të jetë përhapja e frikës, paniku, ulja e besueshmërisë në institucionet e sigurisë, shpërqendrimi. Do të thotë që për Shqipërinë ky është një moment kritik vendimmarrjeje dhe është e nevojshme që të bëhet një analizë e mirëfilltë”, u shpreh Qiriazi.

Sipas ekspertit, hakerat godasin aty ku askush nuk e pret. Sa i përket sistemit TIMS dhe rrjeti i kamerave që u hakuan nga Irani, Qiriazi tha se ato funksionojnë si sisteme të mbyllura dhe fakti që u penetruan, është shqetësuese. Sipas tij, kjo mund të ndodhë përsëri edhe në sisteme të tjera të izoluara sidomos nëse hakerat këmbëngulin vazhdimisht. Kjo sepse gjithmonë ka një moment që nga ana e atij që mbrohet, të ulet vigjilenca.

“E veçanta është se tani goditesh aty ku nuk e pret. U goditën në TIMS dhe në rrjetin e kamerave. Të dyja këto supozohet të funksionojnë me atë që quhet SIPER. Funksionojnë njëlloj si sistemet e klasifikuara të informacionit sepse është i mbyllur, pra në brendësinë e vet. Ndodhi në diçka që nuk pritej dhe është vërtetë shqetësuese. Mund të ndodhë përsëri edhe në sisteme të tjera të izoluara. Për shembull në rast se kemi infrastrukturë hidrocentralet se tani nuk dua të japim këto idera, ku teknologjia që përdoret është e izoluar, por ka një teknologji kritike e cila përmes një hakerimi mund të çojë në dëmtim. Në mënyrë të tillë janë hakeruar edhe centrifugat e përpunimit të uraniumit nga Perëndimi, në Iran, gjë që çoi në përshpejtimin e tyre dhe shkatërrimin, domethënë humbjen e efektshmërisë në pasurimin e uraniumit. Edhe për teknologji të izoluara për aq kohë sa infrastruktura është kyçe dhe ekziston kjo mënyrë penetrimi, siç e thashë, historia ka treguar që këmbëngulja e vazhdueshme e sulmuesve… ka një moment që vigjilenca do të jetë më e ulët e atij që mbron, çon që do të ketë një moment penetrimi”, u shpreh eksperti./tvklan.al