Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte në Athinë në një takim me emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje.

Pas Prishtinës ky ishte një tjetër me rastin e festave të pavarësisë dhe të çlirimit të vendit. Rama konstatoi me kënaqësi se emigrantët në Greqi nuk përbëjnë më vetëm kontingjentin e krahut për punë, por shumë prej tyre janë kthyer në sipërmarrës të rëndësishëm.

Në fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste një vend të veçantë zuri dhe procesi i liberalizimit të vizave.

Rama tha se shqiptarët do të lëvizin pa vizë pas Qershorit 2009, atëherë kur në pushtet do të jenë socialistët. Rama tha se Berisha dhe qeveria e tij dështuan në përmbushjen e këtij detyrimi.

Edi Rama: “Është për të ardhur turp që shteti shqiptar nuk arrin dot të zgjidhë as edhe një problem aspak të vështirë siç është problemi i tmerrshëm i atyre certifikatave të cilat ju duhen juve për dokumentet e ekzistencës dhe të ligjshmërisë suaj dhe or të cilat duhet të merrni një takim në Tiranë e pastaj duhet të prisni me muaj të tërë e pastaj kur ju vjen dita e takimit nuk shkoni dot se ndërkohë nuk keni lejen për të lëvizur, por keni leje për të qëndruar.”

Gjatë takimit kryetari i Partisë Socialiste nuk harroi të falënderojë ata emigrantë të cilët kanë kontribuar financiarisht për hapjen e shkollave të gjuhës shqipe./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi