Punimet për autostradën Thumanë – Kashar, pjesë e Korridorit Blu janë pothuajse në përfundim.

Zv.kryeministrja njëherazi dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli inspektuan nga afër punimet e fundit që po realizohen në nyjen e Kasharit.

Belinda Balluku, zv. Kryeministre: Një segment i cili do të dorëzohet ditën e djelë në orë 7:00. Do të hapim gjithë këtë autostradë të re për trafikun.

Thumanë-Kashar do të jetë një akes me shpejtës lëvizjeje 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie. Sipas Balluku hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut gjatë këtij sezoni veror.

Belinda Balluku, zv. Kryeministre: Është hera e parë që do të kemi tabela shpejtësie 130 kilometra dhe nuk do të donim të kemi aksidente pavarësisht se e kuptojmë shumë mirë që kushtet janë të plotësuara për shpejtësi të larta. Megjithatë do të ketë prezencë të Policisë Rrugore. Më pas ashtu siç ju e dini ne kemi një projekt tjetër shumë të rëndësishëm i cili madje do të nisë nga Thumanë Kashari i cili është projekti i qendrës të monitorimit të trafikut. E cila parashikon mbulimin me kamera inteligjente të 200 kilometrave të para të dy autostradave tona, duke bërë kështu të mundur që përmes një qendre të vendosur në dalje të Tiranës ne të kemi aty të gjithë trupat që kontribuojnë për mbrojtjen e rrugëve shqiptare nga aksidentet apo për ndërhyrjet e shpejta.

Edhe nyja lidhëse me aeroportin e Rinasit është drejt përfundimit.

Sipas ministres Balluku, krahas aksit kryesor i cili do të jetë më pagesë, po punohet gjithashtu edhe për detajet e fundit për të përmbyllur edhe rrugët dytësore, të cilat do të jenë pa pagesë për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Klan News